Historia e pazakontë e dashurisë triumfon në Oscar

05/03/2018 20:38

Një thirrje e dëshpëruar për të qenë pjesë e diçkaje. Një histori e pazakontë dashurie dhe një triumf pavarësisht se çdo gjë atje jashtë duket kundër.

“The Shape of Water”, rrëfenja romantike e një sanitareje që dashurohet me një krijesë ujore rrëmbeu nderimet më të mëdha të ceremonisë më të rëndësishme që kremton arritjet kinematografike të vitit. Falë tij, Guillermo del Toro çoi në shtëpi statuetën e artë të regjisorit më të mirë.

“Del Toro është një nga autoritet më të konsoliduara në Hollywood sot për sot. Është një regjisor tejet i talentuar, me një vizion të çuditshëm. Ai nuk është thjesht regjisor. Ai është një artist në vetvete, por mbi të gjitha ai ka një veçori që në Hollywood vlerësohet jashtëzakonisht, siç është djali i pëlqyeshëm”, thotë Genc Përmeti.

Gary Oldman i pa përpjekjet e një jete të materializoheshin në Oscar-in e tij të parë, një vlerësim i marrë për interpretimin e jashtëzakonshëm bërë Winston Churchill-it tek “The Darkest Hour”. Frances McDormand, nga ana tjetër, nuk i zhgënjeu kuotimet e larta të bëra aktores për interpretimin e rrallë tek “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”.

Sam Rockëell është aktori më i mirë joprotagonist dhe Allison Janney, aktorja më e mirë në një rol dytësor, për mënyrën se si solli në jetë përmes ekranit nënën e ashpër e të vrazhdë tek filmi “I, Tonya”.

“Get Out” i Jordan Peele u shpall skenari më i mirë origjinal, duke çuar sallën në këmbë në një ovacion që çimentoi ngritjen e tij në radhët e elitës hollivudiane.

“Katër nominimet për Oscar, që ishin për aktorët kryesorë dhe ata mbështetës, ishin të parashikueshme dhe mendohej që të katërt i kishin shkruar fjalimet e tyre të fitores. Ndërkohë, e njëjta gjë ndodhi edhe me skenaristët. I vetmi vend ku ishte lënë një hapësirë interpretimi ishte tek drejtori i fotografisë, pasi ishin kandidatura shumë të forta”, shprehet Përmeti.

Top Channel e përcolli për të dytin vit radhazi ngjarjen më të madhe të kinematografisë së një viti. Transmetimi maratonë, me moderator Ledion Liçon, u bë nga një studio e ngrohtë që mirëpriti disa të ftuar për ta shoqëruar publikun me komente profesionale e teknike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA