Melodia e instrumentit tradicional grek të buzukut do të mbushë skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit që po përgatit një shfaqje jo të zakontë për skenën shqiptare, me pjesëmarrjen e Panagiotis Libanovnos.
“Mendoj se është gjithmonë momenti i duhur që të luhet Mikis Theodorakis dhe jam shumë i lumtur që interpretoj në Shqipëri së bashku me kolegët e Teatrit të Operas dhe Baletit“, u shpreh instrumentisti Panagiotis Libanovnos.
Koncerti mban emrin e “Zorba the Greek”, një nga kolonat zanore më të famshme për muzikën dhe kinemanë greke, e kompozuar nga Mikis Theodorakis. Me interpretimin e artistëve të Operas, Artur Vera dhe Etrita Ibrahimi, kjo premierë vjen si një udhëtim përmes krijimeve të kompozitorit, për të cilat u mbështet te poetët më të njohur të vendit fqinj.
“Edhe për ne është diçka e paprovuar më parë. Është një emocion i veçantë, jemi shqiptarë dhe kemi një instrumentist grek. Por, mendoj që nuk është bërë diferencë e madhe, do ta sjellim për publikun në mënyrën më të mirë të mundshme. Shqiptarët e pëlqejnë muzikën greke. Është një muzikë që bashkon, në tekste dhe në këngë është gjithmonë fryma e dashurisë ajo që është kryefjalë e të gjithave”, baritoni Artur Vera.
“Është ndër kompozitorët më përfaqësues të Greqisë, i cili ka meritën e madhe e bashkimit të muzikës elitare, poezinë elitare me folklorin. Ka gërshetuar traditën me modernen“, u shpreh pianistja Etrita Brahimi.
Për herë të parë, në këtë skenë ngjitet dhe aktori i teatrit Xhuliano Brisku për të interpretuar poezitë në gjuhën shqipe.
“Këngët që Arturi do të këndojë, unë do t’i përkthej në shqip. Unë vij në rolin e një narratori që spektakori të ndiejë këngën që Arturi do ta interpretojë më vonë”, tha aktori Xhuliano Brisku.
Përmes teksteve ku dashuria përshkruhet në të gjitha format e saj, publiku përfshihet në një rrëfim të thellë emocional.
Pas premierës të mërkurën ne mbrëmje, shfaqja do të udhëtojë në Vlorë, Berat dhe Korçë, në datat 16, 17 dhe 18 prill.
Top Channel