Dita e tretë dhe e fundit e Samitit IV të Diasporës nisi me Mëngjesin e Vëllazërimit në kuadër të sesionit me temë “Trashëgimia e së Shenjtës”, që i referohet pasurisë shpirtërore dhe materiale të lidhur me besimin që ka formësuar identitetin tonë kombëtar, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama.
Përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare shqiptar u bashkuan për t’u lutur për shqiptarët dhe për flamurin kombëtar.
Përmes paneleve të diskutimit u trajtua roli i Diasporës shqiptare në integrimin europian, nevoja për politika më të mira për riatdhesimin e emigrantëve apo për standartizimin dhe certifikimin e gjuhës shqipe në diasporë. Në fokus ishte dhe diaspora historike, sikurse janë arbëreshët, teksa artizanët prezantuan ritualin e veçantë të veshjes së nuses.
Artizania arbëreshe, Elisabeth D’Elia thotë: “Ne kemi xhaketën tradicionale dhe fundin. Të gjitha janë të qëndisura me ar dhe përmbajnë elemente tradicionale si bleta, lulja dhe shqiponja. Duam ta ruajmë traditën dhe përpiqemi ta përcjellim te brezat e rinj”.
Pjesëmarrësit folën për rëndësinë e bashkëpunimit kulturor, akademik dhe institucional për të mbrojtur trashëgiminë e arbëreshëve, ndërsa ngritën zërin për rreziqet me të cilat ndeshet sot arbërishtja.
“Në fillim ishim rreth 200 mijë banorë arbëreshë që flisnin arbëresh. Sot jemi shumë më pak, jemi ulur në rreth 60–70 mijë, ndoshta as aq. Gjuha po zhduket… arbëreshja nuk flitet më në familje dhe sipas meje duhet që familjet të mbështeten dhe të nxiten që ta flasin arbëreshen”, u shpreh studiuesi Francesco Peri.
Diana Kastrati nga Qendra e Publikimeve për Arbëreshët thotë: “Nuk ka më kohë për retorike boshe nëse gjuha që është ruajtur aq mirë për pesë shekuj, gati gjashtë tashmë, rrezikon. Kemi një globalizim, një rendje drejt një homologimi, në një kohë që duhet të marrë vlerë kjo veçanti. Ajo po tkurret. Por, nëse bëhet pjesë e kurrikulave në shkolla në mënyrë të detyrueshme mund të shpëtohet. Shteti shqiptar ka për detyrë të bëjë edhe lobime politike në funksion të kësaj ideje”.
Pjesëmarrësit në samit theksuan rolin e diasporës si partner funksional në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe institucional të vendit.
Gjatë ditës, pritet të nënshkruhet dhe një marrëveshje mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, me qëllim koordinimin dhe përfshirjen aktive të Diasporës në proceset vendimmarrëse.
Top Channel