“Rikthehet” Lufta e Ftohtë; Berlini, fushëbeteja e spiunëve

01/03/2018 17:48

Ndoshta jo në përmasat e periudhës së Luftës së Ftohtë, por Berlini është shndërruar sërish në një fushëbetejë për shërbimet sekrete.

Agjencia gjermane e lajmeve, DPA raporton se spiunët rusë kanë përqendruar aktivitetin e tyre në kryeqytetin gjerman dhe si dëshmi për këtë sjellë një sulm kibernetik të ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar.

Në atë kohë, hakerat sulmuan sistemin e parlamentit gjerman dhe DPA thotë se pas hetimeve të mëvonshme, shërbimet gjermane të inteligjencës kanë arritur të sigurojnë prova se pas këtyre sulmeve fshihet shërbimit sekret rus.

Kohëzgjatja e sulmit ka qenë për më shumë se një vit dhe ai është konfirmuar edhe nga Ministria e Brendshme gjermane, por pa dhënë detaje në lidhje me hetimet dhe autorësinë e tij.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se Enti Federal për Sigurinë në teknikën e informacionit (BSI) dhe shërbimi sekret gjerman kanë hetuar një rast të cenimit të sigurisë në teknologjinë e informacionit që ka infektuar rrjetin federal.

Shënjestra e sulmit ka qenë linja e informacionit Berlin-Bon dhe sipas kësaj ministrie ai u izolua dhe situata e sigurisë u rivendos nën kontroll. Por, nuk dihet nëse nga kjo kanë rrjedhur informacione të ndjeshme, apo sekrete.

Linja informative Berlin–Bon është një platformë komunikimi i administratës federale e një sigurie të lartë. Përdorues të saj janë Kancelaria dhe ministritë federale, Enti Federal i Kontrollit si dhe autoritetet e sigurisë në Berlin, Bon dhe në qendra të tjera, por edhe Parlamenti dhe Këshilli Federal.

Ky nuk është rasti i parë. Në 2015 një sulm i ngjashëm u ndërmor ndaj sistemit të Bundestagut dhe teknika e përdorur ishte thuajse e njëjtë, ndërkohë që ka patur përpjekje për të hyrë edhe në sistemin e NATO-s në Gjermani.

Pikërisht nga analizimi i këtyre të dhënave, por edhe provave të tjera, që mediat gjermane thonë se nuk bëhen publike për shkaqe hetimore, kundërzbulimi gjerman beson se qëndron Moska dhe agjencitë e saj të spiunazhit.

Top Channel