Putin kërcënon me raketën e pakapshme: Amerika do të na dëgjojë tani

01/03/2018 12:52

Në fjalimin madhor drejtuar kombit, përpara zgjedhjeve presidenciale të cilat pritet gjerësisht t’i fitojë, Vladimir Putin deklaroi se Rusia ka zhvilluar një raketë të re “cruise”, që sipas tij është praktikisht e pathyeshme.

“Është një raketë që mund të mbërrijë kudo nëpër botë”, u shpreh shefi i Kremlinit, e komentet e tij se raketa e re nuk mund ta ndalet nga mburojat raketore në Europë e Azi i ilustroi edhe me videoprezantime.

Dy armë me aftësi bërthamore evidentoi Putini në fjalimin e transmetuar drejtpërdrejt në televizion: raketën “cruise” dhe një pajisje nënujore pa ekuipazh që mund të lëshohet nga një nëndetëse.

Raketa, sipas tij mund të fluturojë ulët në një trajektore të paparashikueshme, të anashkalojë linjat e interceptimit, e të jetë e pathyeshme nga sistemet ekzistuese të mbrojtes antiajrore.

“Shtetet e Bashkuara nuk e morën seriozisht forcën bërthamore të Rusisë, e dështuan të negocionin siç duhej kontrollin e armëve. Përpjekjet e Amerikës për ta frenuar Rusinë kanë dështuar. Askush nuk na dëgjoi. Le të na dëgjojnë tani”, tha Putin.

Presidenti rus pati pretenduar fundin e vitit që shkoi se Moska kishte testuar me sukses një raketë “cruise” të lëshuar nga një motor me fuqi bërthamor, e është pikërisht një motor i tillë – sipas “Washington Post”, – ai që i jep një rreze të pakufijshme, duke e dalluar nga të ngjashmet e saj.

“Ky është fillimi i një lufte të re të ftohtë”, tha për gazetën prestigjioze Alexander Golts, analist i pavarur i ushtrisë ruse në Moskë. Një sipërmarrje e tillë, sipas tij, është një përpjekje për të frikësuar Perëndimin. Fjalimi gati dyorësh nisi me një seri premtimesh mbi përmirësimin e standardeve të jetesës në vend, e në fund u mbyll – siç thotë “Washington Post”, – me paralajmërime të zymta për Amerikën

Top Channel