Putin kërcënoi me raketën e pakapshme, kritika nga ligjvënësit amerikanë

01/03/2018 22:45
Putin bën homazhe para Ushtarit të panjohur

Ligjvënësit amerikanë e shohin si një kërcënim për përdorim të forcës ushtarake fjalimin ku presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Moska zotëron armë bërthamore strategjike që mund të godasin thuajse çdo objektiv në botë dhe nuk mund të interceptohen nga kundërshtarë.

Në fjalimin e tij të përvitshëm drejtuar vendit, numri një i Kremlinit foli për arritje të mëdha në fushën e teknologjisë, që mund t’i japin ushtrisë ruse një pozicion të ri ushtarak në botë.

Ai i prezantoi armët e reja përmes videove që shkaktuan duartrokitje të vazhdueshme nga të pranishmit. Senatori republikan i Karolinës së Veriut, Thom Tillis tha për “Zërin e Amerikës” se e shihte Putinin si një kriminel ordiner. “Kur rusët thonë diçka duhen marrë shumë seriozisht”, ishte komenti i tij.

Zëdhënësja e Pentagonit Dana White pohoi se Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk çuditet nga deklarata e presidentit rus për ndërtimin e armëve të reja bërthamore. Ajo theksoi se ushtria amerikane është e përgatitur për të mbrojtur vendin.

Zëdhënësja White u tha gazetarëve në Pentagon se sistemet antiraketore amerikan nuk kane patur kurrë si synim Rusinë. Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë argumentuar se sistemet mbrojtëse të vendosura në Europe nuk synojnë Moskën, por ato kanë si objektiv mbrojtjen nga kërcënimet që vijnë nga Irani, Koreja e Veriut dhe nga vende të papërgjegjshme.

Top Channel