Amnisti për armët, australianët dorëzojnë me mijëra

01/03/2018 09:54

Australianët dorëzuan më shumë se 57 000 armë zjarri tek autoritetet vitin e shkuar gjatë një amnestie të mujore. Amnistia kishte si qëllim që të reduktonte numrin e armëve të jashtëligjshme, duke i lejuar njerëzit që t’i dorëzonin ato pa pasoja.

Sipas qeverisë australiane, amnistia dhe numri i madh i armëve që u dorëzuan e bënë kombin më të sigurt. Ministri i Brendshëm, Angus Taylor tha se hqeja e armëve të jashtëligjshme nga rrugët do të thotë se ato nuk mund të bien në duart e kriminelëve. Amnistia u organizua pas zbulimit të një fluksi të madh armësh ilegale në vend, gërshetuar me kërcënimin për akte terroriste.

Armëmbajtja pa leje dënohet shumë rëndë në Australi, me deri 14 vjet burg. Sipas autoriteteve, mes armëve të dorëzuara kishte 2 500 armë automatike, 2 900 pistoleta, madje edhe një granadëhedhës. Amnistia ishte e para që prej viteve 1996 dhe 1997, kur u zhvilluan dy të tilla. Në 1996, 35 persona u vranë në qytetin Port Arthur, masakra më e rëndë në vend. Incidenti tragjik solli reforma masive në ligjet për armët, përfshirë ndalimin e armëve gjysmëautomatike dhe automatike.

Top Channel