Dështon “urdhërndalimi” rus i bombardimeve në Siri

27/02/2018 18:16

Luftimet vazhduan në zonën rebele të Ghoutës Lindore, pranë Damaskut, edhe gjatë “armëpushimit të parë 5-orësh”, të urdhëruar në përditësi nga Rusia, aleati i qeverisë siriane.

Aktivistët thanë se predhat e artilerisë dhe aviacionit sirian vazhduan të binin si shi, ndërsa Rusia u përpoq të justifikonte dështimin, duke thënë se rebelët kishin bombarduar një korridor humanitar nga i cili duhej të largoheshin civilët.

Si pasojë e dështimit të kësaj ndërprerjeje luftimesh, të ideuar nga Rusia, nuk u bë asnjë dërgim ndihmash nga OKB-ja dhe asnjë evakuim mjekësor.

Thuasje 400 mijë njerëz janë të bllokuar në enklavën e Ghoutës Lindore, e cila është e rrethuar nga forcat qeveritare që prej vitit 2013.

Mjekët në zonë thonë se, mbi 500 njerëz janë vrarë gjatë 9 ditëve të fundit, që kur qeveria siriane intensifikoi bombardimet në përpjekje për të marrë kontrollin e zonës rebele.

Pasi ndërprerja e së martës përfundoi zyrtarisht, “helmetat e bardha”, një grup vullnetarësh që funksionojnë si ekip shpëtimi, thanë se pati dhjetëra viktima civile.

Reporterë nga zona në shënjestër thanë se evakuimi i supozuar i civilëve është një përrallë, sepse askush nuk guxon të dalë jashtë, pasi, edhe nëse iu shpëton bombave, nuk iu shpëton dot snajperëve të qeverisë në postblloqe.

Kjo u konfirmua edhe nga zyrtarë të OKB-së, që thanë se situata në terren nuk lejon asnjë lëvizje dhe se luftimet vazhduan pa u ndalur, pavarësisht ndërprerjes së luftimeve të urdhëruar nga Moska.

Top Channel