Roma u gdhi e mbuluar nga një petk i rrallë dëbore pas stuhisë arktike që solli ngrica në një pjesë të mirë të Europës.

Acari goditi dhe pjesën veriore e atë qendrore të Italisë, duke sjellë ngërçe të trafikut dhe mbylljen e shkollave. Por, fqinji ynë përtej Adriatikut nuk ishte i vetmi që bëri llogaritë me përkeqësimin e menjëhershëm të motit. Në Suedi, kryeministri Stefan Lofven shpëtoi paq kur makina e tij rrëshqiti në rrugën e mbuluar nga bora e u përplas në veri të Stokholmit.

Kushtet e vështira atmosferike, të cilat pritet të ashpërsohen në ditët në vijim, detyruan British Airëays të anulonte një sërë fluturimesh në Aeroportin e Heathroë e të nxirrte një paralajmërim për udhëtarët se vonesat e problemet mund të vazhdojnë deri të premten. Gazetat vendase i kanë vënë një emër stuhisë së vonë dimërore. Ato e quajnë “bisha nga lindja”, duke cituar Siberinë si shkakun e vuajtjes së britanikëve. Meteorologët thonë se në disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar ka qenë më ftohtë sesa në Arktik, për shkak të kombinimit të temperaturave të ulta me erërat e forta e të acarta.

Termometri shënoi nivele të ulta rekord për këtë periudhë të vitit edhe në Lituani, ku i ftohti ekstrem ka marrë të paktën 3 jetë njerëzish. 7 persona të tjerë në kryeqytetin Vilnius patën probleme serioze me morthin në duar e këmbë. 8 vetë janë dërguar në spital me shenja hipotermie në Letoninë fqinje, ndërsa në Estoni temperaturat pritet të bien 20 gradë nën zero.

Televizioni shtetëror kroat njoftoi se përplasja e një kamioni me një autobus në një zonë veriperëndimore të mbuluar nga bora shkaktoi 14 të plagosur rëndë. Rajoni malor Gorski Kotar është më i prekuri nga i ftohti i acartë që ka mbërthyer vendin.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel