Rinia po largohet edhe nga Italia. Destinacioni i preferuar, Gjermania

26/02/2018 14:52

Shifrat e përmirësuara ekonomike nuk kanë mundur ta frenojnë largimin e të rinjve nga Italia, e zgjedhjet parlamentare nuk përbëjnë një arsye të mjaftueshme për të shpresuar.

Gjermania, – sipas “Deutsche Welle”-s, – mbetet një prej destinacioneve më të dëshiruara prej moshës së re në Itali, në jugun e së cilës gati gjysma e të rinjve janë të papunë, edhe pse të diplomuar.

“Në Itali nuk jemi sistemuar”, thotë një prej tyre, Melania Reca. “Në Spitalin e Romës, ku kreva praktikën bashkë me një miken time, na ofruan një kontratë pune vetëm tremujore, e për këtë duhet ta konsideronim veten me fat”.

Vajza shpjegon më tej se, të njëjtin dokumentacion aplikimi kishte dërguar edhe në Gjermani, nga ku i mbërritën menjëherë tri oferta.

Betejën elektorale përpara zgjedhjeve të 4 marsit, mjaft të rinj italianë e ndjekin pa interes, sepse ndiejnë që nuk janë vlerësuar seriozisht prej politikës.

Sipas Michele Mosca, ekonomist dhe pedagog i Universitetit të Napolit, nepotizmi dhe masat e kursimeve janë vetëm dy prej arsyeve që shtyjnë një numër të madh të rinjsh të largohen nga Italia.

“Ne kemi nevojë për reforma të gjera, kryesisht në sektorin publik”, thotë ai. “Shumë autoritete dhe zyra janë me poste vakante, e njëkohësisht mënyrat e punës janë penguese, burokratike dhe të vjetëruara”.

Si shembull, eksperti përmend punën në universitet, ku planet mësimore nuk janë aktualizuar prej vitesh dhe të rinjtë përgatiten në mënyrë të pamjaftueshme për tregun modern të punës.

Top Channel