Xi Jinping, president “i përjetshëm”, nismë për të ndryshuar kushtetutën në Kinë

25/02/2018 14:34

Partia Komuniste kineze ka propozuar heqjen e një klauzole në Kushtetutë që kufizon presidencën në dy mandate 5-vjeçare.

Lëvizja do të lejonte presidentin aktual Xi Jinping që të qëndronte si lider edhe pas skadimit të këtyre mandateve. Ka pasur shumë spekulime se Xi Jinping do të kërkonte të zgjaste presidencën e tij edhe përtej 2023.

Kongresi i partisë, vitin e shkuar, e pa atë të çimentonte statusin si lideri më i fuqishëm pas Mao Zedongut. Ideologjia e tij po ashtu u pasqyrua në kushtetutën e partisë dhe kongresi, duke thyer traditën, nuk hapi udhën për asnjë pasues të mundshëm. I lindur në 1953, Xi Jinping, është biri i një prej themeluesve të partisë komuniste.

Ai iu bashkua partisë në 1974, duke ngjitur shkallët e pushtetit deri sa u bë president në 2013. Presidenca e tij ka vënë në zbatim reforma ekonomike, një fushatë të ashpër kundër korrupsionit por edhe ka ringjallur nacionalizmin dhe ka cenuar të drejtat e njeriut. Lajmi për ndryshimin e kushtetutës është raportuar nga agjencia shtetërore “Xinhua” të dielën.

Sipas saj, komiteti qendror i Partisë Komuniste të Kinës ka propozuar heqjen nga kushtetuta të paragrafit ku përcaktohet se presidenti dhe zëvendëspresidenti i Republikës së Kinës nuk duhet të shërbejnë më shumë se dy mandate radhazi. Agjencia nuk ka dhënë detaje të tjera por propozimi i plotë do të zbardhet në vijim.

Top Channel