Përplasja Izrael-Poloni, “swastika” në portat e ambasadës

19/02/2018 12:21

Simbole naziste “Swastika” janë vizatuar në portat e Ambasadës së Polonisë në Izrael, një ditë pasi kryeministri i vendit tha se, edhe hebrenjtë ishin mes autorëve të Holokaustit.

Policia në Tel Aviv nisi një hetim, pasi u shfaqën po ashtu kërcënime dhe fjalët “vrasës”.

Askush, ndërkohë, nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për vandalizimin e misionit diplomatik polak në Tel Aviv.

Komentet e kryeministrit polak, Mateusz Morawiecki u bënë në Konferencën për Sigurinë që u mbajt në Mynih. Sipas zyrës së tij të shtypit, kryeministri polak po i përgjigjej një gazetari izraelit, i cili e kishte pyetur nëse ndonjë nga bashkëpunëtorët polakë të Holokaustit do të konsiderohej kriminel në Poloni, bazuar në ligjin e ri.

“Së pari është ekstremisht e rëndësishme të kuptohet se nuk do të dënohet askush, sepse thotë se ka pasur bashkëpunëtorë polakë, ashtu siç ka pasur edhe bashkëpunëtorë hebrenj, rusë apo ukrainas. Jo vetëm gjermanë”, ishte përgjigjur Morawiecki.

Izraeli dënoi ashpër këto komente, me kryeministrin Netanyahu që tha se ato ishin fyese dhe tregonin një paaftësi për të kuptuar historinë.

Të dielën, ai bisedoi në telefon me Morawieckin për të diskutuar çështjen. Përplasja më e fundit vjen vetëm disa javë, pasi Izraeli kritikoi ligjin e ri polak që e bën të paligjshme akuzimin e kombit polak, apo shtetit, për bashkëpunim me krimet e nazistëve.

Ligji është nënshkruar dhe kthyer në ligj nga presidenti Andrzej Duda, por është dërguar gjithashtu në gjykatën më të lartë të vendit për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e tij.

Top Channel