Netanyahu sulmon ashpër Iranin në Konferencën e Mynihut

18/02/2018 11:58

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka nisur një sulm therës ndaj Iranit, teksa tha gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih se, Republika Islamike është “kërcënimi më i madh ndaj botës”.

Netanyahu shtoi më tej se Izraeli nuk do të lejojë kurrsesi regjimin e Iranit “të na vendosë lakun e terrorit përreth qafës sonë”.

Kryeministri izraelit bëri një paralelizëm mes Marrëveshjes së Mynihut të vitit 1939, që u pa si një përpjekje e dështuar për të kënaqur Gjermaninë naziste, dhe marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin. Marrëveshja, sipas tij, vetëm sa ka nxjerrë nga kafazi “një tigër të rrezikshëm iranian”.

Netanyahu ka akuzuar ministrin e Jashtëm iranian dhe përfaqësuesin në Mynih, Mohammad Javad Zarif, i cili pritet të flasë përpara delegatëve më vonë gjatë ditës së sotme, se është thjesht një “zëdhënës i rregullt i regjimit iranian, që gënjen me elokuencën e tij”.

Ai tha se Irani gënjen kur mohon të ketë dërguar një “drone” në territorin izraelit gjatë javës së kaluar, që u qëllua dhe u rrëzua nga forcat izraelite të mbrojtjes. Duke mbajtur një pjesëz të atij “drone” të shkatërruar në duar, ai iu drejtua drejtpërdrejt Zarifit me një pyetje.

“A e njihni këtë pjesëz? Sigurisht që po, sepse është juaji. Por, mos na vini në provë!”.

Ai “drone” shkaktoi javën e kaluar një konfrontim, i pari i njohur deri më sot që angazhoi drejtpërdrejt ushtritë izraelite dhe iraniane. Izraeli nisi sulme ajrore ndaj objektivave iraniane në Siri, pasi deklaroi se kishte ndërprerë e rrëzuar një “drone” iranian që kishte kaluar kufirin mes Sirisë dhe Izraelit.

Gjatë ofensivës, një avion luftarak izraelit “F16” u rrëzua nga forcat ajrore siriane, ndërsa piloti arriti të katapultohej në kohë duke zbritur më pas në një territor në veri të Izraelit.

Kjo ishte hera e parë që Izraeli humbet një avion luftarak në betejë që prej vitit 2006. Pas sulmit, Netanyahu tha se Irani kishte “shkelur ashpër sovranitetin e Izraelit”, e u angazhua se vendi i tij do të mbronte vetveten nga çdo sulm i jashtëm.

Top Channel