Kryesia e Kuvendit të Kosovës ia dërgoi qeverisë projektligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në qeveri, duke avancuar kështu iniciativën e shumëkundërshtuar nga ndërkombëtarët, e cila mund t’i dëmtojë ndjeshëm marrëdhëniet me ta.
Topi tani është në fushen e ekzekutivit, deklaroi shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili kujtoi sesi mbledhja e kaluar u shty për mungesë të kuorumit, por këtë herë ajo u arrit të mbahej falë katër anëtarëve.
Zyrtarë të lartë europianë e amerikanë e kanë bërë të qartë se për Kosovën, pasojat e ndryshimit të mandatit të kësaj gjykate do të ishin të mëdha si në Bruksel, ashtu dhe në Uashington. Arsyeja që ajo ekziston, argumentojnë ekspertët e huaj, duhet kërkuar tek të metat e sistemit gjyqësor në Kosovë dhe nismëtarët e një hapi të tillë, sipas tyre, janë persona që po përpiqen t’i shpëtojnë përgjegjësisë.
Por Ramush Haradinaj thotë se nuk i druhet gjykimit të speciales. Në një intervistë dhënë televizionit kroat HRT, ai u shpreh se ka fituar përvojë përsa i takon përballjeve me drejtësinë, e kujtoi se shqiptarët e Kosovës janë përballur me gjykime e dënime në periudha të ndryshme, duke përmendur këtu edhe kohën që gjysem milioni kosovarë, siç tha ai, kanë qenë nëpër burgjet e Jugosllavisë.
Në të njëjtën intervistë Haradinaj preku dhe çështjen e vrasjes se Oliver Ivanoviç e paraqiti disa arsye përse mund të jetë kryer një akt i tillë, duke i mëshuar idesë së një motivi politik, ose një arsyeje me sfond kriminal por duke përjashtuar me forcë atë ndëretnike.
Top Channel