
Rasti i dopingut dhe tërheqja nga organizimi i kampionatit europian të peshëngritjes në Shqipëri ka shqetësuar edhe Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes.
Hasan Akkus, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj federate komenton situatën e krijuar.
“Kishte një reagim të fortë publik dhe nga media në Shqipëri pas skandalit të dopingut, aq sa të gjithë u dorëhoqën. Praktikisht, sot në Shqipëri nuk ka një federatë të peshëngritjes dhe s’ka kush të organizojë Kampionatin Europian. Ky është një problem i papritur dhe shumë serioz për Federatën Europiane të Peshëngritjes”, thotë ai.
Për organizimin e këtij kampionati përfliten dy vende, Rumania dhe Gjeorgjia dhe një vendim duhet marrë sa më parë, pasi koha nuk pret.
“Është një situatë e vështirë, por nëse mund të ndihmojmë peshëngritjen europiane, ne do ta bëjmë këtë”, deklaroi Alex Padure, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Rumune të Peshëngritjes.
Ndërkohë, federata gjeorgjiane njoftoi se do të zhvillojë një mbledhje ditën e martë për të diskutuar mundësinë e organizimit të këtij europiani.
Për momentin këto dy vende janë më të përfolurat, por nuk përjashtohen të tjera kandidatura në ditët në vijim.
Top Channel