“Ofensiva e sharmit”, Japonia paralajmëron Penianin

17/01/2018 10:55

Japonia tha në një takim ndërkombëtar mbi Korenë e Veriut se bota nuk duhet të verbërohet nga “ofensiva e sharmit” që Peniani po ndjek kohët e fundit.

Komentet e ministrit të Jashtëm japonez në Kanada vijnë ndërsa Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut po diskutojnë mbi planet e Penianit për të marrë pjesë në Olimpiadën e dimrit. 20 ministra të Jashtëm, të mbledhur në Vankuver, ranë dakord që të shtojnë presionin mbi Penianin, por edhe shprehën mbështetjen për diskutimet aktuale mes dy vendeve. Koreja e Veriut në dy vitet e shkuara ka avancuar me shpejtësi programet e saj bërthamore dhe raketore, pavarësisht sanksioneve të shtuara ndërkombëtare.

Testi më i fundit balistik i saj, i kryer më 28 nëntor, i hapi rrugën një serie të re sanksionesh nga Kombet e Bashkuara që kishin në shënjestër ngarkesat e naftës dhe udhëtimet. Por, lideri koreano-verior, Kim Jong-un tha në fillim të janarit se ishte i hapur për dialog me Jugun dhe propozoi dërgimin e një delegacioni në Lojrat Olimpike që do të mbahen në Seul, muajin e ardhshëm.

Dy Koretë mbajtën pas kësaj bisedimet e para të nivelit të lartë në më shumë se dy vite. Bisedimeve i është kredituar zbutja e tensioneve në gadishull, por Japonia paralajmëron vendet të mos shpërqendrohen prej tyre. SHBA mbështeti komentet e tij me Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, i cili kërkoi rritjen e presionit mbi Penianin deri në pikën kur ai duhet të ulet në bisedime për negociata të besueshme, në rast të kundërt, ai kërcënoi me një reagim ushtarak.

Top Channel