Policia e Shtetit ka hapur konkurset për të dhënë gradën drejtues i parë. Top channel ka siguruar urdhrin që specifikon se janë vetëm 5 vende që kanë këtë gradë të lartë dhe duket se konkursi është hapur për të graduar një oficer policie që do të pasojë në detyre ish-drejtorin e Policisë se Shtetit Haki Çako, i larguar nga kjo detyrë.
Drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit Rebani Jaupi ka urdhëruar hapjen e procesit të konkurrimit për fitimin e gradës policore “Drejtues i parë”.
Top Channel ka siguruar një kopje të këtij urdhri, që specifikon se janë 5 vende të lira pune që korrespondojnë me këtë gradë, një ndër të cilët është posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Mirëpo drejtori i komanduar Rebani Jaupi që ka shpallur konkursin, i plotëson vetë kriteret, sepse ka gradën “Drejtues i lartë”. Por hapja e konkursit pikërisht tani të bën të mendosh se Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të zgjidhet në radhët e kandidaturave që nuk e plotësojnë kriterin e gardës dhe që do t’i nënshtrohen konkursit për ta marrë.
Zhvillimi i konkursit do të bëhet shpejt. Urdhri parashikon që aplikantët të dorëzojnë dokumentacionin deri më 16 janar dhe më pas Akademia e Sigurisë të zhvillojë procesin e konkurrimit që do të thotë se gradat do të jepen në një afat kohor brenda 2 javësh.
Siç kemi raportuar edhe më parë, janë disa emra të përfolur si pasues të drejtorit të liruar Haki Çako, ku më fort po lakohen Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Tiranës, Agron Sojati, ish-drejtor i anti-terrorit, aktualisht këshilltar për sigurinë në Kryeministri dhe Gjovalin Loka, Drejtor i Policisë së Shkodrës.
Top Channel