Pa u mbyllur ende problemi me pallatin e rrezikuar 9 familje në një tjetër lagje të Gjirokstrës kanë marrë urdhrin për t’u evakuuar pas agravimit të rrëshqitjes nën banesat e tyre.
4 prej shtëpive rrezikohen seriozisht dhe 5 të tjera kanë rrezik më të ulët.
Vendimi erdhi pas studimit prej shërbimit gjeologjik. Studimi që pasoi reshjet e dhjetorit dhe ankesat e banorëve për çarje të mureve dhe rrëshqitje pranë themeleve, i ka kërkuar bashkisë në rubrikën e rekomandimeve që të largojë banorët dhe të marrë masa urgjente për stabilizimin e zonës me drenazhim dhe prita mbrojtëse.
Shumica e banorëve nuk pranojnë të largohen nga banesat.
Edhe në këtë rast, hapësira e ofruar për akomodim është konvikti i shkollës Pedagogjike në Gjirokastër. 8 dhomat e vëna në dispozicion më parë në këtë konvikt për banorët e pallatit u refuzuan për shkak të kushteve të papërshtatshme.
Gjatë vlerësimit paraprak, Insituti i Gjeologjisë njoftoi në fillim të dhjetorit se dëmet me çarjet në 5-6 shtëpi të kësaj lagjeje historike rrezikojnë thellimin duke vënë në rrezik në total 16 banesa të paktën 200-vjeçare.
Specialistët sugjeruan mbajtjen në mbikëqyrje të zonës, eleminimi e rrjedhjeve sipërfaqësore të ujërave dhe ndërhyrjen emergjente me pyllëzim të zonës.
Ende nuk është e qartë nëse do të ndërhyhet forcërisht për të evakuuar banorët, pasi asnjë prej familjeve të njoftuara nuk është larguar. Nga ana tjetër, ndërhyrja për ndërtimin e pritave nuk mund të realizohet në kohë me lagështi.
Top Channel