14 persona mbetën të plagosur në Melburn të Australisë pasi një makinë u përplas mbi një grup kalimtarësh në njërën prej rrugëve më të ngarkuara të qytetit, Flinders Street.
Disa prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën. Policia vuri në pranga personin që drejtonte mjetin, i cili, sipas saj, ka vepruar qëllimisht. Por, autoritetet sqaruan se bëhej fjalë për një përdorues droge me probleme të shëndetit mendor, i cili nuk ka lidhje me terrorizmin. Një 24-vjeçar u ndalua nga ana tjetër pasi kishte filmuar incidentin sepse iu gjet me vete një çantë me thika. Turma e egërsuar e njerëzve u përpoq të bllokonte shoferin.
Makina e bardhë e tipit SUV u përplas mbi njerëzit pa bërë as përpjekjen më të vogël për të frenuar, siç rrëfejnë dëshmitarët okularë. Forcat e rendit, tha për BBC-në njëri prej tyre, Jim Stoupa, mbërritën në vendngjarje brenda një minute, ishte tmerrësisht shpejt.
Në mesin e personave të dërguar në spital është edhe një fëmijë i vogël i moshës parashkollore, i cili ka marrë plagë të rënda në kokë. Kryeministri australian Malcolm Turnbull sqaroi përmes Twitter-it se një hetim është çelur menjëherë mbi incidentin e shtoi se mendimet dhe lutjet e tij janë për njerëzit që po vuajnë pasojat e episodit tronditës.
Janarin e këtij viti, 6 vetë humbën jetën kur një burrë përplasi makinën e tij mbi kalimtarët në rrugën fqinje Bourke, çka shtyu zyrtarët lokalë të vendosnin blloqe betoni në disa pjesë të zonës, përfshirë dhe vetë Flinders, me shpresën se kështu do të arrinin të parandalonin sulmet aq të përhapura së fundi me automjete.
Top Channel