Kur ikin dritat në aeroport

18/12/2017 11:15

Mijëra vetë u prekën nga mbyllja e pjesshme e aeroportit më të ngarkuar të globit, “Hartsfield-Jackson” në Atlanta të Shteteve të Bashkuara, si pasojë e një “black out”-i.

Drejtuesve të këtij aeroporti u duhet të menaxhojnë çdo ditë rreth 2.500 fluturime dhe mbi 250 mijë pasagjerë.

Energjia elektrike tashmë është rikthyer, por 1.000 fluturime u anuluan dhe me qindra të tjerë u shtynë. Një sërë avionësh, që duhej të mbërrinin nga aeroporte të tjera, u devijuan gjithashtu, ose vonuan ngritjen në ajër nga vendi i tyre i nisjes.

“Georgia Power”, kompania që furnizon aeroportin me energji elektrike beson se, shkak i incidentit është zjarri i shpërthyer në një central të nëndheshëm elektrik.

Zyrtarët kanë bindjen se flakët e nisura në sistemin elektrik dëmtuan kabllot, duke sjellë në fund edhe ngërçin paralizues.

Kryebashkiaku i Atlantës deklaroi se shkaqet e zjarrit janë tashmë nën hetim dhe u kërkoi ndjesë mijëra personave të cënuar nga ky episod, si pasojë e të cilit një sërë linjash të mëdha ajrore, përfshire “United”, “Southwest” dhe “American Airlines” i pezulluan krejtësisht lëvizjet e tyre të dielën.

Një pjesë e mirë e pasagjerëve mbetën në errësirë për një kohë të gjatë, e disa thonë se kanë qëndruar në bordin e avionëve për plot 6 orë. Rreth 30 mijë udhëtarë u prekën në total nga mbyllja e aeroportit.

Top Channel