Britani, incident në bazën amerikane. Qëllohet agresori

18/12/2017 18:45

Ushtarët amerikanë të dislokuar në bazën ajrore britanike “Mildenhall” hapën zjarr ndaj një personi, që tentoi të hynte me dhunë brenda saj, duke përplasur makinën e tij te barrierat e sigurisë.

Mësohet se ushtarët amerikanë e vendosën situatën nën kontroll shumë shpejt, arrestuan agresorin dhe e dorëzuan atë në duart e policisë britanike të Suffolkut.

Baza u izolua përkohësisht, por më pas situata u kthye në normalitet, pasi autoritete britanike dhe ushtria amerikane thanë se incidenti nuk ishte terrorist.

Policia tha se nuk ka më asnjë kërcënim për publikun, apo personelin në bazë, dhe se nuk po kërkohet asnjë person tjetër.

Aktiviteti i bazës i është kthyer rutinës, megjithëse mediet raportojnë për siguri të shtuar, pasi edhe në shkuarën kjo bazë britanike që përdoret nga ushtria amerikane ka qenë objektiv i sulmeve terroriste.

Baza përdoret si qendër transporti nga SHBA dhe është shtëpia e një flote avionësh transporti dhe forcave të operacioneve speciale.

Top Channel