Zgjedhjet e 21 dhjetorit në Katalonjë, situata mbetet e nderë

15/12/2017 13:59

Katalanasit i drejtohen më 21 dhjetor qendrave të votimit, për zgjedhjet që do të përcaktojnë lidershipin e tyre të ri, në vazhdën e zhvillimeve dramatike të muajve të fundit: shpalljes së pavarësisë dhe ndërhyrjes së fortë të Madridit me vendosjen e kontrollit të drejtpërdrejtë mbi rajonin rebel.

Situata parazgjedhore është e nderë.

“Është tamam si në kohën e luftës civile, vetëm se pa bombat”, thotë 95-vjeçarja Rosario Caceres, e cila e ka përjetuar diktaturën e Francisco Francos. “Asokohe nuk na lejohej të flisnim në shkolla gjuhën katalane”, kujton e moshuara. “M’u desh t’ua mësoja sërish fëmijëve të mi pas vdekjes së Francos. Padyshim isha shumë e zemëruar”.

Votimet e javës që vjen janë për qeverinë e re rajonale, por katalanasit do ta hedhin votën e tyre si të ishte fjala për një referendum zyrtar mbi mëvetësinë. Të pakta janë mundësitë e një preference të ndërmjetme.

Përgjithësisht, preferencat shfaqen hapur në favor të Partisë Socialiste të Katalonjës, e cila është kundër shkëputjes, ama këtë herë ajo duket është anashkaluar gjerësisht.

Pala pro largimit, megjithatë, është mjaft e frakturuar, e që prej shpalljes së njëanshme të pavarësisë në muajin tetor ka përcjellë mesazhe të ngatërruara.

Ekzekutivi qendror i kërkoi zgjedhjet e 21 dhjetorit, me shpresën e vendosjes së një qeverie më të moderuar, me të cilën të bashkëpunojë lehtësisht. Por Madridi, mbase do të mbetet i zhgënjyer kur të shohe se gjërat kanë ndryshuar pak që prej atëherë.

Top Channel