“Mjekët pa kufij”, mbi 6.700 të vdekur mes “Rohingya”-ve

14/12/2017 13:35

Të paktën 6.700 myslimanë të komunitetit “Rohingya” janë vrarë brenda një muaji, pas shpërthimit të dhunës në Mianmar gjatë muajit gusht.

Shifra e përcjellë nga “Mjekët pa kufij”, mbështetur në dëshmitë e refugjatëve në Bangladesh, është ndjeshëm më e lartë sesa bilanci zyrtar i 400 jetëve të humbura.

Për organizatën e njohur ndërkombëtare nuk ka tregues më të qartë sesa ky, sa i takon nivelit të shtrirjes së dhunës së autoriteteve të Mianmarit. Mes viktimave të qëlluara me armë zjarri, të djegura apo rrahura për vdekje, numërohen edhe 730 fëmijë të vegjël.

Ushtria e Mianmarit fajëson terroristët për dhunën dhe mohon të ketë pasur ndonjë gabim nga ana e saj. Por “Mjekët pa kufij” ndajnë tjetër mendim për situatën.

“Numri i vdekjeve ka shumë mundësi të jetë nënvlerësuar”, thotë njëri prej drejtuesve të agjencisë humanitare, doktor Sidney Wong.

“Edhe ne vet, – shton ai, – me gjithë dëshmitë që kemi mbledhur, sërish nuk kemi mundur t’i mbulojmë të gjitha kampet e refugjatëve në Bangladesh dhe raportimet nuk përfshijnë rrëfimin e familjeve që nuk arritën kurrë të dalin nga Mianmari”.

“Jemi të bindur se bilanci i rohingyave të vrarë nga 25 gushti deri më 24 shtator është 9.000 vetë, – vazhdon Wong, – e nga këto vdekje, të paktën 6.700 janë pasojë e dhunës”.

Në këtë pikë ka nisur të shtrohet pyetja nëse ky do të ishte një rast për t’u shqyrtuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila duhet të shohë nëse në Mianmar janë kryer krime kundër njerëzimit.

Top Channel