Vota për “Brexit”, disfatë për kryeministren May në Parlament

13/12/2017 21:34

Qeveria britanike u mposht ngushtë në Parlament, në një votim kyç për ligjin e “Brexit”, pas rebelimit të deputetëve konservatorë.

Në një goditje të fortë për kryeministren Theresa May, deputetët votuan për t’i dhënë Parlamentit të drejtën që të miratojë ose jo marrëveshjen përfundimtare për “Brexit”, që do të arrihet me Brukselin.

Qeveria britanike pretendonte se, kjo do të rrezikonte mundësitë për t’u larguar nga BE-ja pa probleme. Pavarësisht koncesioneve të minutave të fundit, për të qetësuar rebelët brenda partisë së kryeministres, amendimi i ligjit, pra e drejta e votës së Parlamentit u miratua me 309 vota, kundrejt 305, një diferencë prej vetëm 4 votash.

Disfata e parë e qeverisë për “Brexit”-in në Dhomën e Ulët të Parlamentit erdhi pasi partitë opozitare bashkuan forcat me rebelët mes konservatorëve.

Pati akuza se ata që mbështetën amendamentin duan të nxjerrin pengesa për “Brexit” dhe po përpiqen t’i lidhin duart qeverisë. Por, amendamenti u mbështet dhe kjo do të thotë se Parlamenti duhet të miratojë paktin përfundimtar me BE-në përpara se ministrat të nisin implementimin e tij.

Pas votës, mbështetësit e amendamentit, që i jep të drejtën Parlamentit të votojë për paktin me BE-në, mbështetësit e tij thanë se Parlamenti mori kontrollin e procesit të largimit nga unioni.

Top Channel