Sezoni i dytë i telenovelës “Donnarumma” është rikthyer edhe më intrigues se ai i pari, i mbyllur në muajt e verës me një kontratë që e mban portierin të lidhur me Milanin deri në vititn 2021.
Por, të paktën sipas asaj që raporton Corriere Dello Sport, kjo kontratë mund të mbyllet shumë herë më shpejt nga sa mendohet.
Gazeta shkruan në versionin e saj online se agjenti i 18-vjeçarit, Mino Raiola ka një strategji që ta transferojë klientin e tij që në merkaton e janarit dhe destinacioni është PSG.
Corriere shkruan se për Mirabellin dhe Fassonen, Donnarumma nuk shkon asgjëkundi pa 70 milionë euro. Pikërisht këtu hyn në lojë strategjia e Raiolas. E njëjta gazetë shkruan se agjenti milioner synon që të rrisë tensionet mes klientit të tij dhe Milanit për të ulur sa më shumë vlerën e transferimit të portierit tek PSG.
Ulja e kësaj vlere është në përpjestim të zhdrejtë me fitimet e Raiolas. Pra, sa më lirë të shitet Donnarumma, aq më shumë përfiton Mino Raiola nga komisionet që duhet të paguajë klubi blerës.
Top Channel