Ndeshja e fazës së 1/8-ave të Kupës së Italisë kundër Veronës, e luajtur në “San Siro”, rezultoi tepër e lehtë për të besuarit e Gennaro Gattusos.
Kuqezinjtë eliminojnë veronezët pas fitores 3-0, të arritur falë golave të shënuar nga Suso, Romagnoli dhe Cutrone, duke shënuar kështu edhe të dytin triumf nën drejtimin e ish-mesfushorit energjik të mbiquajtur edhe “Ringhio”.
Në minutat e fundit rezultati mund të ishte kthyer në një “poker”, pas gjuajtjes së fuqishme me të djathtën nga Biglia i futur si zëvendësues në vend të Montolivos, por topi u ndal nga traversa.
Në çerekfinalen që do të luhet të mërkurën e 27 dhjetorit, Milani do të gjejë përballë “kushërinjtë” zikaltër, për të zhvilluar një tjetër derbi të ethshëm këtë sezon.
Megjithatë, jo gjithçka ishte e gëzueshme sot. Përkundrazi, një mbrëmje tepër e vështirë për t’u përballuar moralisht ishte për portierin Gigio Donnarumma, i kontestuar ashpër nga tifozët ultras të kuqezinjve, pas lajmeve që qarkulluan këto ditë për deklarata nga agjenti i tij Mino Raiola, të pakapërdishme nga tifozët.
Top Channel