SHBA, autori i sulmit në Nju Jork akuzohet për terrorizëm

12/12/2017 15:00

I dyshuari i sulmit me bombë në terminalin e autobusëve “Port Authority” në Nju Jork, Akayed Ullah është ngarkuar edhe zyrtarisht me akuza të lidhura me terrorizmin.

Emigranti 27-vjeçar nga Bangladeshi u plagos nga sulmi i ndodhur orët e para të mëngjesit të së hënës në Manhattan, shumë pranë “Times Square”.

Akayed Ullah raportohet të jetë në gjendje kritike për jetën në spital, pasi pësoi djegie të rënda, kur pajisja artizanale e mbërthyer në trupin e tij i shpërtheu ndoshta para kohe.

Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe 3 persona të tjerë, me plagë më të lehta, pasi ajo ndodhi në orët e pikut të lëvizjes së njerëzve për në punë.

Ai u tha hetuesve të policisë se ishte frymëzuar nga sulmet terrorirste për Krishtlindje në Europë dhe kishte përzgjedhur terminalin e autobusëve “Port Authority”, pasi kishte parë disa postera festive në muret e metrove.

Ullah tha se sulmi i planifikuar ishte motivuar nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj shënjestrave të Shtetit Islamik në Siri dhe kudo në botë, raporton “New York Times”.

Top Channel