Emigrantët në Europë, AI: Edhe qeveritë fajtore për abuzimin

12/12/2017 10:16

Qeveritë europiane, sipas “Amnesty International” janë bashkëpunëtore në torturat dhe abuzimin e refugjatëve dhe emigrantëve në Libi.

Deklaratën e fortë të saj, organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut e mbështet – siç thotë, – në dëshmitë e atyre që e kanë përjetuar vet dhunën, punën e detyruar, mashtrimin dhe vrasjet.

Në përpjekje për të frenuar emigracionin, BE-ja po mbështet në mënyre aktive “një sistem abuzimi dhe shfrytëzimi” në brigjet libiane, thotë grupi, që pretendon se fondet e bllokut shkojnë tek autoritetet që bashkëpunojnë me forcat paraushtarake dhe trafikantët e njerëzve.

Bashkimi Europian deri tani i ka siguruar anije, stërvitje dhe financim Rojeve Bregdetare të Libisë, rrugëkalimi kryesor i emigrantëve që përpiqen të mbërrijnë në kontinentin e vjetër.

Zbarkimet e tyre në Itali u reduktuan ndjeshëm, që nga momenti kur Brukseli nisi të mbështesë Rojet Bregdetare libiane.

Por “Amnesty” këmbëngul se këto të fundit punojnë me bandat kriminale dhe trafikantët e fajësuar për një gamë të gjerë abuzimesh, e kjo sipas saj ndodh me dijeninë e bllokut.

E gjithë kjo situatë ka prodhuar për rrjedhojë ndalimin në masë, arbitrat dhe për një kohë të papërcaktuar të refugjatëve e emigrantëve nëpër qendra të kontrolluara nga Drejtoria e Përgjithshme vendase e Luftës kundër Emigracionit të Paligjshëm.

Nga sa pohon organizata, aktualisht në këto qendra po mbahen të paktën 20 mijë vetë.

Top Channel