Rreziku i “intifadës” së re, SHBA-palestinezëve: Mos anuloni bisedimet

08/12/2017 08:17

Edhe pse ishte e qartë që në fillim, se njoftimi i Donald Trump mbi Jeruzalemin këtë javë do të ndikonte te procesi i paqes, Shtetet e Bashkuara i paralajmëruan palestinezët të mos i anulojnë bisedimet e parashikuara më vonë gjatë muajit, mes zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence dhe kreut të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Një zyrtar i lartë palestinez e bëri të qartë se numri dy i administratës amerikane nuk do të jetë i mirëpritur, por Uashingtoni këmbëngul të tregojë se pezullimi i takimit do të jetë “kundërproduktiv”.

Me lëvizjen e tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë praktikisht rrëzoi dekada të tëra politikë të SHBA-ve lidhur me statusin e Jeruzalemit. Reagimet, ashtu siç pritej, ishin të mëdha, aq sa tani po shtrohet në diskutim edhe mundësia e një intifade të tretë.

Tani nuk bëhet më fjalë për t’i dhënë një shtysë bisedimeve të paqes, por si mund të pengohet shpërthimi i një dhune të re. Kryengritjen e dytë palestineze kundër Izraelit, e njohur dhe si “intifada al-Aksa”, e nxiti pikërisht vizita e ish-kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Malin e Tempullit, që u pa nga palestinezët si gjest tejet provokues.

Përplasja e madhe e nisur shtatorin e vitit 2000 do të mbyllej me vdekjen e 3.000 palestinezëve, 1.000 izraelitëve dhe 64 shtetasve të huaj. Këtë të enjte, nga përleshjet që shpërthyen në Rripin e Gazës dhe Bregun e pushtuar Perëndimor mbetën të plagosur të paktën 31 palestinezë.

E ndërsa territoret palestineze gjëmojnë nga zemërimi, në Jeruzalemin perëndimor ka harè. Me ndryshimin e beftë të politikës amerikane nuk pajtohen as shumë aleatë të ngushtë të Uashingtonit, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Liga Arabe do të mblidhen në ditët në vazhdim për të vendosur qëndrimin e tyre.

Top Channel