Protestat në Palestinë, dy viktima dhe mbi 200 të plagosur

08/12/2017 18:33

Protestat që shpërthyen në Bregun Perëndimor pasi ShBA njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, shkaktuan të premten viktimat e para.

Dy palestinezë u vranë nga ushtarët izraelitë gjatë përleshjeve në kufirin e Rripit të Gazës, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën vetëm në Cisjordani. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte qëlluar dy persona që i akuzon si nxitësit kryesorë të revoltave të dhunshme.

Tensionet në atë që u shpall si “Dita e zemërimit” ishin të larta. Përleshje mes palestinezëve dhe trupave izraelite pati në qytetet e Betlehemit, Ramallahut, Hebronit etj. Imazhet televizive treguan forcat e rendit teksa hidhnin ujë e gaz lotsjellës kundër protestuesve që qëllonin me gurë. Gjithashtu, raportohet të jenë përdorur plumba gome.

Izraeli mobilizoi batalione shtesë në Bregun Perëndimor për t’i paraprirë dhunës, pasi liderët palestinezë kërkuan mbajtjen e protestave pas lutjeve të së premtes. Trazira u shënuan edhe në Jeruzalemin lindor, teksa policia u përpoq të sprapste demonstruesit jashtë qytetit të vjetër, ku edhe gjenden një sërë vendesh të shenjta për myslimanët, hebrenjtë e të krishterët.

Protesta kundër vendimit të Donald Trumpit, që shënoi një ndryshim të politikës disavjeçare amerikane ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme pati edhe në vende të tjera të botës si Turqi, Pakistan, Afganistan, Jordani e Egjipt, ku mijëra vetë pushtuan rrugët me banera pro Palestinës.

Imami i madh i Al Azharit në Egjipt, Ahmed Al Tayyib, i bëri thirrje liderëve e qeverive të botës islamike që të veprojnë për të bllokuar zbatimin e vendimit të Trumpit për zhvendosjen e Ambasadës Amerikane në Jeruzalem.

Top Channel