SHBA, republikanët mbështesin Moore-n

05/12/2017 10:32

Tre javë pasi Komiteti Kombëtar Republikan preu çdo lidhje me Roy Moore, pas akuzave nga disa femra për ngacmim seksual, ky grupim ka vendosur ta mbështesë prapë kandidatin republikan për Senat.

Kthesa e Partisë Republikane erdhi vetëm pak orë pasi Presidenti Donald Trump mbështeti publikisht republikanin nga Alabama, i cili kandidon për vendin e lënë bosh në Senat nga Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions. Në nëntor, Komiteti Kombëtar Republikan u tërhoq nga mbledhja e fondeve për Roy Moore, pas akuzave për ngacmime seksuale.

Vetë Moore i ka mohuar forcërisht akuzat dhe pretendon se janë pjesë e një komploti që përfshin homoseksualët, biseksualët dhe socialistët. Mediat amerikane shkruajnë se pavarësisht mbështetjes së shumicës së Komitetit Republikan, duket se ka ende figura të partisë së vjetër që nuk janë dakord me kandidimin e Moore dhe i kanë kërkuar të tërhiqet. Mes tyre, ish-kandidati presidencial Mitt Romney, i cili tha se nëse Roy Moore shkon në Senat, kjo do të ishte një njollë për partinë dhe vendin.

Sipas Romney, asnjë shumicë dhe asnjë votë nuk vlen humbjen e nderit dhe ndershmërisë së partisë. Zgjedhjet për vendin në Senat të Alabamës do të mbahen më 12 dhjetor dhe Moore përballet në një garë të fortë me demokratin Doug Jones.

Top Channel