SHBA, prokurori special kërkon të dhëna nga “Deutsche Bank” për Trumpin

05/12/2017 18:14

Prokurori special Robert Muller, i cili po heton bashkëpunimin e pretenduar të Rusisë me pjesëtarë të ekipit të Trumpit gjatë fushatës presidenciale, i ka kërkuar bankës gjermane “Deutsche Bank” të dorëzojë të dhënat e transaksioneve që kanë lidhje me kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Sipas raportimeve, Muller ia ka parashtruar kërkesën bankës disa javë më parë. Mirëpo “Deutsche Bank” ka refuzuar kërkesa të tilla në të kaluarën, duke cituar ligjet e privatësisë.

Hetuesit amerikanë thuhet të jenë të interesuar për informacione mbi ujditë që kanë lidhje me trupin – sipas medieve, – Handelsblatt dhe Reuters.

“Deutsche Bank”, një prej kreditorëve më të mëdhenj të organizatës Trump për projekte ndërtimi, tha se nuk do të komentonte për asnjë prej klientëve të saj.

Në muajin qershor, banka refuzoi kërkesën e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve për të ofruar detaje të financave të presidentit.

Si prokuror special, Muller, i cili ka kryesuar FBI-në për më shumë se një dekadë, ka autoritetin të lëshojë thirrje e të ngrejë akuza kriminale. Gjithashtu, ai mund të hetojë çdokënd që ndërhyn në hetimin e tij, përmes dëshmive të rreme, pengimit të drejtësisë, shkatërrimit të provave, apo intimidimit të dëshmitarëve.

Agjencitë amerikane të Inteligjencës pretendojnë se Moska u përpoq të ndikonte në zgjedhjet presidenciale në favor të Donald Trumpit.

Top Channel