Njohja e Jeruzalemit, SHBA paralajmërohet nga aleatët

05/12/2017 09:04

Presidenti francez Emmanuel Macron i tha homologut të tij Donald Trump se është i shqetësuar se lideri amerikan mund të njohë njëanshëm Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Sipas Macron, çdo vendim për statusin e këtij qyteti duhet marrë në kuadër të negociatave mes izraelitëve dhe palestinezëve. Një tjetër aleat i SHBA-së, këtë herë nga bota arabe, pikërisht Arabia Saudite, i shprehu Uashingtonit shqetësime të njëjta. Më herët, paralajmërime të ngjashme u bënë nga disa vende arabe dhe myslimane.

Raporte të ndryshme në media thonë se Presidenti amerikan do të njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit këtë javë. Që të dyja palët, izraelitët dhe palestinezët, pretendojnë se Jeruzalemi është kryeqyteti i tyre. Por, ndërsa pjesa më e madhe e komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar SHBA-së që të mos e ndërmarrë këtë hap, Trump duket i vendosur. Nga Shtëpia e Bardhë thonë se nuk diskutohet më nëse Ambasada Amerikane do të spostohet nga Tel Avivi në Jeruzalem, por kur do të ndodhë.

Që prej vitit 1995, çdo President amerikan ka firmosur çdo 6 muaj një dokument që shtyn spostimin e ambasadës dhe Trump nuk firmosi shtyrjen e fundit që duhej bërë të hënën, duke lënë të kuptohet se vendimi final është çështje ditësh.

Top Channel