BE miraton listën e zezë të parajsave fiskale

05/12/2017 20:18

Ministrat e Financave të Bashkimit Europian miratuan një “listë të zezë” me emrat e 17 shteteve që konsiderohen si parajsa fiskale, në një hap të paprecedentë për të luftuar evazionin global të taksave.

Për të dekurajuar shfrytëzimin e strukturave mbrojtëse jashtë, që në shumë raste janë të ligjshme, por që mund të fshehin aktivitete të paligjshme, Bashkimi Europian nisi në shkurt skanimin e 92 juridiksioneve që konsideroheshin si parajsa fiskale.

Lëvizja erdhi pas shumë zbulimesh për skema të evazioneve fiskale “offshore”, të përdorura nga kompani dhe individë të pasur. Ministrat e Financave të BE-së miratuan një “listë të zezë”, në të cilën përfshihen Samoa amerikane, Bahreini, Barbadosi, Grenada, Guami, Koreja e Jugut, Makau, Ishujt Marshall, Mongolia, Namibia, Palau, Panamaja, Shën Lucia, Samoa, Trinidad dhe Tobago, Tunizia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Lista përbën një progres domethënës. Ekzistenca e saj është një hap i rëndësishëm përpara. Por, për faktin se është e para listë e BE-së, mbetet një reagim i pamjaftueshëm ndaj shkallës së evazionit fiskal në mbarë botën”, tha Pierre Moskovici, komisioner europian për Taksat.

Një listë e dytë publike, gri ose nën vëzhgim, prej 47 juridiksionesh që janë angazhuar për të ndryshuar rregullat e tyre të taksave për t’iu përshtatur standardeve të BE-së për transparencën dhe bashkëpunimin, po ashtu është miratuar.

Në këtë listë të dytë përfshihet edhe Zvicra, Turqia dhe Hong Kongu. Maroku dhe Kepi i Gjelbër janë zhvendosur ndërkohë nga lista e zezë në listën gri, në momentet e fundit, pas angazhimeve për reforma në sistem. Lista, sipas zyrtarëve do të rifreskohet rregullisht.

Top Channel