Macron e Tsipras, në krah të Merkelit. Presion SPD-së së Schulzit

04/12/2017 16:01

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri grek, Alexis Tsipras, po i bëjnë presion kryetarit të SPD-së, Martin Schulz, që partia e tij të hyjë në koalicion me CDU-CSU-në për të krijuar qeverinë e re.

Schulz tha për gazetën “Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung” se kishte marrë mesazhe të tilla prej Macronit dhe Tsiprasit.

Siç thotë “Deutsche Welle”, Macron synon një reformim të BE-së, e për këtë ka nevojë për ndihmën e Gjermanisë. Gjithashtu, Tsipras ka thënë në një mesazh se bllokut i duhen reforma e ndryshime të vërteta.

Edhe dy muaj pas zgjedhjeve, Gjermania është ende pa një qeveri të re. Por, socialdemokratët thonë se nuk duan të vihen nën presion prej CDU-CSU-së, pas dështimit të bisedimeve disajavore me liberalët dhe të gjelbrit.

Politikanë të kësaj partie kujtojnë se, edhe në vitin 2013, bisedimet për koalicionin e madh zgjatën nga shtatori deri në dhjetor, e për këtë nuk ka vend për të nxituar dhe për t’i vënë nën presion.

Sipas tyre, SPD-ja ende nuk ka vendosur nëse është e gatshme për një koalicion të madh. Socialdemokratët mblidhen nga data 7-9 dhjetor në Kongresin e tyre në Berlin, ku do të diskutojnë edhe për mundësinë e një koalicioni me CDU-CSU-në, apo tolerimin e një qeverie pakice.

Top Channel