“Brexit”, Britani-BE drejt akordit. May lëshon ndaj Irlandës së Veriut

04/12/2017 16:59

Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe janë më pranë arritjes së një marrëveshjeje mbi “Brexit”-in.

Këtë e njoftoi presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk. Ai u shpreh i inkurajuar nga progresi dhe arritja e një ujdie për Irlandën e Veriut.

Sipas medieve britanike, kryeministrja Theresa May, e cila gjendet në Bruksel, është e gatshme t’i japë Irlandës së Veriut një status të veçantë, që do t’i lejonte asaj të qëndronte brenda tregut të përbashkët europian dhe unionit doganor.

Gjithashtu, deputeti belg Philippe Lamberts tha për BBC-në se Mbretëria e Bashkuar kishte bërë lëshime mbi Irlandën. Theresa May udhëtoi drejt Brukselit për të takuar zyrtarët e lartë të BE-së, në një përpjekje për të finalizuar marrëveshjen në prag të samitit të 14-15 dhjetorit.

Menjëherë pas përhapjes së lajmit erdhi reagimi i Skocisë, me kryeministren Nicola Sturgeon që tha se nuk kishte asnjë arsye të qenësishme, që të pengonte edhe pjesët e tjera të Britanisë së Madhe të vepronin në të njëjtën mënyrë.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan u shpreh i lumtur për marrëveshjen dhe sugjeroi se mund të kërkonte diçka të ngjashme. Britania e Madhe votoi për “Brexit”-in vitin e kaluar, e duhet të shkëputet në mars të vitit 2019, por negociatat u bllokuan lidhur me të ashtuquajturat 3 çështje të divorcit.

Bashkimi Europian ka thënë se do të rekomandojë nisjen e bisedimeve mbi marrëveshje të ardhshme tregtare me Londrën, vetëm kur të bëhet progres i mjaftueshëm mbi statusin e qytetarëve të BE-së që jetojnë në Britani, faturën e divorcit dhe kufirin me Irlandën e Veriut.

Top Channel