Shirat e fundit shkatërruan rrugën e cila lidh Krujën me Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës. Ky aks rrugor i investuar nga Banka Europiane, kushtoi 5 milionë dollarë dhe u inaugurua në vitin 2014.

Asokohe zona mori zhvillim jo vetëm nga pikëpamja turistike, por edhe sociale, pasi lidhi 4 mijë banorë të fshatrave përreth me qytetin e Krujës.

Por shirat e ditëve të fundit kanë shkatërruar rrugën si dhe kanë izoluar 5 fshatra në zonë. Shembja e një ure e cila i lidh këto të fundit me aksin kryesor është bërë shkak i kësaj situate. Ka qenë uji i një përroi që ka shkaktuar edhe dëmtimin e saj duke “marrë” gjithçka me vete. Veç urës përgjatë aksit ka rënie të theksuar dherash, të cilat kanë formuar pirgje të mëdha duke e bllokuar vende-vende.

Rruga e ngushtë, e cila duhet të mirëmbahej nga firma që ka kryer punimet, duket se është lënë në mëshirë të fatit. Aty vërehet mungesa e sinjalistikës si dhe në shumë vende ajo ka rrëshqitur.

Këtë fakt e shprehin edhe banorët të cilët janë të shqetësuar, pasi kanë mbetur të bllokuar. “Ky përrua rrëzoi urën. Jemi 5 fshatra të izoluara. Një rast emergjence dhe ne na merr lumi. Ku të shkosh!?” shprehet një banor i fshatit Cudhi.

Një tjetër banor rrëfen se kjo rrugë këto tre vjet gjithmonë ka pasur probleme, shkarje dherash si dhe devijime. “Shihni vetë çfarë punimesh. Çdo vit kështu bëhet këtu, por këtë vit u prish edhe ura” shprehet ai.

“Fiks Fare” përshkoi 60 minuta me ecje ashtu si dhe banorët bëjnë çdo ditë për të arritur në fshatin më të afërt Çudhi. Familjarë të shumtë u shprehën se situata ka 5 ditë që vazhdon të jetë problematike , ndërkohë që nuk ka asnjë ndërhyrje nga firma që ka për detyrë mirëmbajtjen e kësaj rruge.

“Ne kemi mbi 5 ditë që vazhdojmë të jemi të bllokuar. E bëjmë në këmbë këtë rrugë çdo ditë mbi 1 orë.

Duhet të ndërhyhet patjetër, pasi është vërtetë shumë e vështirë të jetosh në këto kushte. Urën e mbaj mend që e vogël e ka pas bë gjermani dhe nuk ka lëviz asnjëherë, kësaj radhe që u bë edhe e re u shemb” tha një 73 vjeçare nga Çudhi.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA