Hetimet për Rusinë, Trump sulme të reja ndaj FBI

03/12/2017 21:24

Donald Trump nuk tërhiqet nga akuzat ndaj FBI-së. Të shtunën presidenti amerikan përgënjeshtroi sërish se i kishte kërkuar ish-drejtorit James Comey të hiqte dorë nga hetimet lidhur me një prej këshilltarëve të lartë të tij, Michael Flynn.

Në një shfryrje të zemërimit në rrjetin social Twitter, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se reputacioni i FBI-së kishte degraduar. Gjatë fundjavës u mësua se Prokurori special Robert Mueller, që po heton ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhje kishte shkarkuar një zyrtar të lartë të këtij institucioni nga hetimet gjatë verës, pasi u zbulua të kishte bërë komente anti-Trumpit në mesazhe.

Presidenti shfrytëzoi informacionit për të ripërtërirë sulmet ndaj FBI-së. “Një agjent anti-Trump në FBI, drejtoi hetimet për çështjen e emaile-ve të Clinton. Tani çdo gjë po fillon të ketë kuptim”-shkruhet në një prej postimeve të tij.

Por zëdhënësi i Mueller sqaroi se zyrtari ishte shkarkuar nga ekipi hetimor menjëherë pas zbulimit të mesazheve. Ndërkaq Michael Flynn, pranoi të premten se e kishte gënjyer FBI-në lidhur me kontaktet me Rusinë, çka bëri të ndizeshin spekulimet se ai mund të kishte informacione që do të inkriminonin një ose më shumë zyrtare të administratës Trump.

Duke mohuar se Flin kishte vepruar në mënyrë të jashtëligjshme, si pjesë e ekipit të tij të tranzicionit, Trump më pas pranoi në Twitter se e dinte që ish-Gjenerali kishte gënjyer FBI para se ta shkarkonte atë nga detyra në shkurt.

Deklarata bie ndesh me pohimet e mëhershme të Trumpit, i cili e kishte justifikuar shkarkimin, me mungesën e sinqeritetit të Flynn ndaj zv/ presidentit Mike Pence. Në Shtetet e Bashkuara është e kundraligjshme të gënjesh FBI-në.

Top Channel