Flynn pranon akuzat. Ish-këshilltari i Trump gënjeu FBI-në për rusët

01/12/2017 21:40

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn pranoi në gjyq se kishte gënjyer FBI-në për takimet me ambasadorin rus në SHBA, disa javë para se Donald Trump të bëhej President.

Akuzat u bënë nga prokurori special Robert Mueller, si pjesë e hetimit të tij për përfshirjen e dyshuar ruse në zgjedhjet e 2016-s. Flynn është anëtari më i lartë i administratës amerikane që paditet në këtë hetim. Michael Flynn doli para gjykatës në Uashington dhe pranoi akuzën se kishte bërë deklarata të rreme, të gënjeshtërta dhe mashtruese. Seanca zgjati shumë pak dhe i pyetur nga gjykatësi nëse ishte fajtor, Flynn u përgjigj shkurt, po.

Gjykatësi tha se gjyqi tashmë nuk ishte më i nevojshëm dhe se nuk do të ketë as apel, duke lënë të kuptohet se Flynn e ka bërë një marrëveshje me prokurorët në këmbim të bashkëpunimit.

Ditë më parë, mediat amerikane raportuan se ekipi ligjor i Flynn lajmëroi Shtëpinë e Bardhë se nuk do të komunikonin më për hetimin, duke e bërë të qartë se ish-këshilltari për Sigurinë po merrte masa për të mbrojtur veten. Flynn me siguri e di, por ende s’është e qartë si do të ndëshkohet ai, megjithëse zor se do të shkojë në burg.

Pas seancës gjyqësore, përmes një komunikate për shtyp, Flynn lajmëroi se kishte pranuar fajin dhe se po përpiqej ta shlyente atë.

Top Channel