Nis sot në mbrëmje faza e “play off”-eve për Botërorin “Rusi 2018”.
Në zonën europiane janë parashikuar të zhvillohen dy ndeshje, derbi ballkanas mes Kroacisë dhe Greqisë dhe ajo mes Irlandës së Veriut dhe Zvicrës, ku favoritë në letër janë pikërisht kroatët dhe helvetët.
Për Kroacinë, sfida do të jetë e vështirë, pasi përballë do të ketë një skuadër si Greqia, që është cilësuar si “macja e zezë” e saj. Në fakt, Greqia ka humbur vetëm një ndeshje zyrtare në përballjet me kroatët, atë të 30 prillit të vitit 1997, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të vitit 1998.
Greqia u rendit e dyta në grupin H, pas Belgjikës, një vend që e siguroi vetëm në ndeshjen e fundit pas fitores 4-0 ndaj Gjibraltarit.
Në ndeshjen tjetër që do të luhet në Belfast, Irlanda e Veriut – e renditur e dyta në grupin C pas Gjermanisë, – do të kërkojë t’ia vështirësojë gjërat Zvicrës së shqiptarëve të drejtuar nga Petkoviç, të cilët u parakaluan vetëm në ndeshjen e fundit nga Portugalia, në ndeshjen vendimtare ku triumfuan kampionët e Europës në fuqi.
Irlanda e Veriut dhe Zvicra nuk janë vënë përballë njëra-tjetrës që nga 18 gushti i vitit 2004, kur luhej një sfidë miqësore. Në atë kohë, përballja përfundoi me barazimin 0-0.
Përsa i përket bilancit për ndeshjet zyrtare, këto dy skuadra nuk kanë luajtur kundër njëra-tjetrës që nga viti i largët 1964, në kualifikueset për Botërorin e 1966-s. Në atë kohë Irlanda e Veriut fitoi 1-0, ndërsa ndeshja e kthimit u fitua nga zviceranët 2-1, me këtë të fundit që siguroi vendin e parë në grup.
Top Channel