Lufta për pushtet, Princi i kurorës arreston rivalët në Arabi

05/11/2017 09:53

Struktura antikorrupsion e ngritur nga princi i kurorës në Arabinë Saudite ka arrestuar 11 princë, katër ministra në detyrë dhe mbi 10 ish-ministra.

Media vendase raporton se arrestimet ndodhën pak orë pas ngritjes së strukturës antikorrupsion përmes një dekreti mbretëror. Struktura drejtohet nga princi i kurorës, Mohammed bin Salman.

Emrat e të arrestuarve nuk bëhen të ditur, por jozyrtarisht përflitet se mes tyre ka emra që në Europë njihen si investitorë të fuqishëm.

Korrespondenti i BBC-së, Frank Gardner thotë se kjo lëvizje përforcon pushtetin në rritje të Princit Mohammed, që është partizan i një reformimi të thellë të sistemit drejtues dhe shoqërisë së vendit.

Zyrtarisht nuk bëhen të ditura as akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit, por televizioni vendas, “Al-Arabiya” thotë se janë rihapur dosjet hetimore për përmbytjet në Jeddah në vitin 2009 dhe epidemia e virusit Mers, që goditi vendin në 2012. Në të dyja këto raste dyshohet se është abuzuar me fondet dhe është keqmenaxhuar situata.

Në një lëvizje tjetër, jashtë valës së arrestimeve, por që për mediat ndërkombëtare lidhet me to, një sërë drejtuesish të Gardës Kombëtare dhe të Marinës Detare u pushuan nga detyra dhe u zëvendësuan, pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar për këtë.

Prince Miteb bin Abdullah, djali i Mbretit Abdullah, që ndërroi jetë në 2015, ishte ministër i Gardës Kombëtare, një forcë e fuqishme ushtarake brenda vendit dhe deri para se të pushohej nga kjo detyrë shihej gjerësisht si trashëgimtar për fronin.

Me këtë lëvizje, princi Mohammed bin Salman, që drejton Ministrinë e Mbrojtjes ka marrë nën kontroll të gjitha forcat e sigurisë së vendit.

Sa i takon idesë së tij për të reformuar vendin, Mohammed ka deklaruar pak kohë më parë se rikthimi i “islamit të moderuar” ishte thelbi i idesë së tij për të ndryshuar vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA