Arabia Saudite ka shkatërruar në ajër një raketë balistike të lëshuar nga Jemeni, ndërkohë që sauditët janë tmerruar nga shpërthimi i fuqishëm i dëgjuar pranë Aeroportit të Riadit.

Forcat saudite të Mbrojtjes Ajrore u cituan nga rrjeti televiziv “Al-Arabiya” të kenë thënë se kishin shkatërruar në ajër një raketë në verilindje të kryeqytetit.

Një televizion i lidhur me rebelët “Houthi” në Jemen njoftoi se raketa ishte lëshuar prej tyre me objektiv aeroportin arab. Ky nuk është rasti i parë, sepse sauditët kanë kapur edhe herë të tjera raketa nga rebelët “Houthi”.

Televizioni shtetëror “Al-Ekhbariya” tha se raketa ishte e përmasave të vogla dhe nuk shkaktoi asnjë dëm.

Për rebelët “Houthi”, kjo ishte një raketë balistike me rreze të gjatë, e lëshuar drejt Aeroportit ndërkombëtar “King Khalid” të Rijadit.

Jemeni është shkatërruar nga lufta mes forcave besnike të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të presidentit Abdrabbuh Mansour Hadi, dhe atyre aleate me lëvizjen rebele “Houthi”. Arabia Saudite udhëheq fushatën e bombardimeve ajrore ndaj rebelëve në Jemen.

Top Channel