Pasi ka bllokuar më parë deri në vitin 2020 Max Verstappen, Red Bull është gati të presë deri në fillimin e vitit 2018 edhe australianin Daniel Ricciardo, që të vendosë për të ardhmen e tij.
Red Bull kërkon ta mbyllë këtë çështje sa më shpejt, por Ricciardo ka kërkuar kohë për të parë edhe ofertat e tjera. Shefi i Red Bull Christian Horner ka nënvijëzuar se ai dëshiron që Ricciardo të qëndrojë, por nuk do t’i imponohen të nxitojë në vendimin e tij.
“Lëvizja e radhës që do të bëjë ai është shumë rëndësishme për të, kështu që unë mendoj se ai duhet të marrë kohën që i duhet për të vendosur. Ai e di shumë mirë qëllimin që kam unë, pasi ja kam thënë. Ne e duam në skuadër, por nëse i duhet 6 muaj kohë për të vendosur, kështu do të jetë”, deklaroi Horner.
Por shefi i Red Bull e di shumë mirë që Ricciardos i përfundon kontrata në vitin 2018 dhe Red Bull nuk mund ta ndalë atë të shkojë te një skuadër rivale, edhe pse skuadra austriake duket e qetë në këtë aspekt, pasi mund të tërheqë nga Renault spanjollin Carlos Sainz.
“Kjo ka qenë një nga arsyet që ne lejuam të shkonte me huazim Carlos Sainz. Ne kemi shumë alternativa të tjera, por objektivi ynë kryesor është që të vazhdojmë me të dy pilotët që kemi tani”, tha Horner.
Daniel Ricciardo ka qenë pjesë e Red Bull që në fillimet e karrierës së tij në moshë të vogël, për të fituar më pas vendin e pilotit të skuadrës kryesore në vitin 2014.
Top Channel