Kombëtarja shqiptare mbylli përgatitjet për ndeshjen ndaj Finlandës që do të luhet pasditen e kësaj të shtune. Kuqezinjtë nën drejtimin e Rolando Maran dhe stafin e tij zhvilluan seancën e fundit stërvitore ku në dispozicion ishin të gjithë futbollistët.

Në këtë seancë, skuadra kreu ushtrime fizike, punoi për skemat taktike dhe provoi gjuajtjet standarde. Ndërkaq, Federata Shqiptare e Futbollit konfirmon se mesfushori Luis Hasa, i cili aktualisht ndodhet në Tiranë, është rikuperuar pas temperaturës së lartë.

Hasa ka nisur një program të personalizuar stërvitor pranë Klinikës së Kombëtares dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit ndaj San Marinos, më 6 tetor në stadiumin “Air Albania”.

Sfida mes Finlandës dhe Kombëtares shqiptare do të luhet në stadiumin Helsinki Olympic dhe do të transmetohet në platformën Digitalb. Kujtojmë se kuqezinjtë shkojnë në këtë ndeshje si kryesues të grupit me 6 pikë të plota, ndërsa Finlanda është me 4 pikë.

Top Channel