F1, Hamilton shpallet kampion nëse…renditet i pesti

26/10/2017 18:39

Fitorja e Lewis Hamilton në Austin të Teksasit i dha atij mundësinë që të jetë me një dorë te titulli kampion i këtij Botërori. Piloti britanik i Mercedesit ka një avantazh prej 66 pikësh përkundrejt gjermanit të Ferrarit, Sebastian Vettel, teksa kanë mbetur për t’u zhvilluar 3 gara me 75 pikë në lojë.

Kombinimet e mundshme për këtë fundjavë janë më të thjeshta nga sa mund të kishte ndodhur në një situatë tjetër, e shumë të ngjashme me kohën kur shpallej për herë të parë kampion bote në F1, gjatë Çmimit të Madh të Brazilit në vitin 2008. Ai duhet të përfundojë në vendin e pestë, më e pakta, e çdo pozicion më i mirë nga ky do të ishte mëse i mjaftueshëm.

Por ndryshe nga skenat dramatike që pamë në Sao Paulo në vitin 2008, kur Hamilton parakaloi Timo Glock në kthesën e parafundit për të zënë vendin e pestë, këtë sezon ai ka në dispozicion edhe dy gara të tjera, “match point” nëse do t’iu referoheshim me gjuhën e tenisit, për të siguruar atë “grusht” pikësh të nevojshme për titullin.

Nëse renditet në vendin e 5 ose më lart, Hamilton do të garantojë një diferencë prej të paktën 50 pikësh nga Vettel, përpara dy garave të fundit. E duke parë formën e kohëve të fundit të pilotit britanik, duket thuajse e pamundur që kampionati të shtyhet më tej në Brazil, me përjashtim të ndonjë incidenti të rëndë apo një defekti në njëvendëshen e tij.

Beteja aq e ashpër në Austin mund të ketë shërbyer thjesht si një rikujtim i asaj se, sa i ashpër duhej të ishte përcaktimi i titullit kampion në këtë sezon, por që nuk ndodhi kështu. Gjithashtu, mund ta ketë lënë Ferrarin në mendime të thella se çfarë kartash mund të luante në Mexico City, një pistë që favorizon “kokëkuqen” dhe ku Mercedesi pritet të hasë vështirësi në fundjavë.

E pavarësisht se ekzistojnë edhe dy makinat Red Bull, të cilat në garat e fundit kanë pasur një paraqitje mbresëlënëse, vendi i pestë për Hamilton dhe Mercedesin e tij duket një objektiv mëse i arritshëm.

Por Hamilton tregoi edhe njëherë në Austin se nuk mjaftohet të fitojë vetëm atë sasi pikësh të nevojshme për t’u shpallur kampion për herë të katërt, pasi synon t’i shkojë deri në fund këtij edicioni si triumfues në çdo garë të mundshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA