Rusia: Mbështesni axhendën ruso-kineze për Penianin

20/10/2017 18:22

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u kërkoi fuqive botërore të premten të mbështesnin axhendën ruso-kineze për zgjidhjen e krizës në lidhje me programin  bërthamor të Koresë së Veriut.

“Ne i kërkojmë komunitetit ndërkombëtar të mbështesë idetë e axhendës ruso-kineze për Korenë e Veriut. Pikat kryesore janë të përfshira në deklaratën e ministrave tanë të Jashtëm të 4 qershorit. Ne jemi të bindur se, implementimi i tij do të kontribuojë për rënien e aktiviteteve ushtarake dhe tensionit në gadishull, e do të ndihmojë në krijimin e një sistemi sigurie të barabartë dhe të pandashëm në Azinë Verilindore”, tha Lavrov.

Duke folur në një konferencë për shtyp për ndalimin e armëve bërthamore në Moskë, Lavrov tha se prishja e marrëveshjes bërthamore me Iranin do të jepte një mesazh alarmues për mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë dhe mund të prekë edhe zhvillimet në gadishullin Korean.

“Është e pamundur sidoqoftë të kthehemi në të njëjtën situatë me programin bërthamor të Iranit, si para nënshkrimit të marrëveshjes. Prishja e marrëveshjes do të dërgonte një sinjal alarmues sistemit të sigurisë ndërkombëtare, përfshirë perspektivën e ndezjes së krizës bërthamore në gadishullin Korean”, tha Lavrov.

Si Kina, ashtu edhe Rusia, i konsiderojnë sistemet e mbrojtjes nga raketat, që Uashingtoni ka ndërtuar në tokë të huaj, një problem kyç dhe ministri i Jashtëm rus kërkoi kthimin në territor amerikan të armëve bërthamore amerikane të vendosura në Europë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme kineze kundërshtoi vendosjen e sanksioneve të reja mbi Korenë e Veriut, jashtë kornizës së Kombeve të Bashkuara. Sipas zëdhënësit të saj, situata në gadishullin Korean mbetet e komplikuar dhe procesi i denuklearizimit duhet arritur përmes negociatave.

Top Channel