BE-së po i shterojnë fondet kundër emigrantëve afrikanë

20/10/2017 19:16

Bashkimit Europian po i mbarojnë paratë, me të cilat paguan vendet afrikane që të ndalojnë ata që duan të udhëtojnë si emigrantë drejt Europës. Udhëheqësit e BE-së krijuan në vitin 2015 një fond për sigurinë kufitare dhe masa të tjera për të parandaluar qytetarët afrikanë të braktisinin vendet e tyre të origjinës.

Por, gjatë samitit të BE-së në Bruksel, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi krerët për një boshllëk prej 225 milionë eurosh, me të cilat duhet të paguhen projektet për migrimin, përfshirë kontrollin kufitar në Libi, pika kryesore e nisjes për shumë migrantë që kalojnë Mesdheun drejt Italisë.

Juncker tha se BE-ja po arrin limitin e fondit të emergjencës, që njihet si fondi BE-Afrikë, dhe u bëri thirrje anëtarëve të unionit që të rrisin mjetet financiare. Diplomatë të ndryshëm europianë u bënë jehonë fjalëve të Juncker dhe thanë se, nëse situata nuk ndreqet shpejt, BE-ja nuk do të financojë dot politikat për ndalimin e emigracionit.

I ndarë mes 26 vendeve, fondi BE-Afrikë paguan kthimin vullnetar të emigrantëve që kanë mbetur në Afrikën e Veriut, për sigurinë kufitare, si dhe projekte arsimore. Fondi për Afrikën s’është i vetmi që BE-ja duhet të paguajë, pasi në vitin 2018 Brukseli do të përballet me kërkesën për të rimbushur fondin prej 3 miliardë eurosh, që në vitin 2016 i dha Turqisë për një qëllim identik, ndalimin e miliona emigrantëve që donin të shkonin në Europë, nga kufiri turk drejt Greqisë.

Top Channel