Rusi, vajza e kumbarit të Putinit shpall kandidaturën për presidente

19/10/2017 23:26

Ksenia Sobchak, vajza e mësuesit politik të Vladimir Putin, shpalli kandidaturën e saj presidenciale për zgjedhjet e marsit të ardhshëm, të cilat pritet të fitohen nga Putin.

Sobchak, një yll i rrjeteve sociale dhe televizioneve, si dhe një gazetare liberale që ka marrë pjesë në protestat e opozitës, tha se po garon si një kandidate e protestave kundër të gjithëve.

Në vitet ’90, Putin ishte zëvëndësi i babait të saj, Anatoly Sobchak, kryebashkiaku i Shën Pjetërburgut.

“Unë quhem Ksenia Sobchak, jam 36 vjeç dhe kandidoj për presidente. Kur isha një studente 18-vjeçare, Vladimir Putin u bë president dhe fëmijët që lindën në atë vit do të votojnë sot për herë të parë. Mendoni për këtë. Gjatë këtyre viteve është rritur një brez i ri, që dëshiron të shohë një Rusi të ndryshme, të qytetëruar dhe europiane”, tha Ksenia Sobchak, kandidate presidenciale.

Sobchak tha se korrupsioni dhe vjedhjet e zyrtarëve rusë janë të papranueshme dhe se ajo vjen si kandidate e protestave për t’i dhënë fund këtyre fenomeneve.

Por, analistët mendojnë se kandidatura e saj sponsorizohet nga Kremlini për të rritur legjitimitetin e zgjedhjeve dhe për të ndarë opozitën liberale. Aleksei Navalny, figura më e njohur e opozitës në vend, zor se do të lejohet të kandidojë.

Shfaqja e beftë e Sobchak, e cila asnjëherë nuk e ka kritikuar hapur Putinin, sigurisht që zgjoi shumë dyshime. Vet gazetarja e njohur hodhi poshtë akuzat se mbështetet nga Kremlini dhe tha se kurrë nuk ka pasur kontakte me administratën për çështje të tilla.

Top Channel