Ambasadorja e SHBA në OKB, qëndrim të ashpër kundër Iranit

19/10/2017 15:36

Retorikat e Shteteve të Bashkuara këto ditë nuk janë më me Korenë e Veriut, por me Iranin.

Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndjekë shembullin e Uashingtonit e të marrë një qëndrim ndaj asaj që zyrtarja e lartë e quajti “sjellje shkatërruese të Republikës Islamike” në Lindjen e Mesme.

“Irani duhet të gjykohet për sjellje agresive, destabilizuese dhe të paligjshme. Të veprosh ndryshe do të ishte qesharake. Dhe ç’ është më e keqja, regjimi i atjeshëm vazhdon ta vërë në lojë këtë këshillë. Irani fshihet pas mbrojtjes që i siguron marrëveshja bërthamore, ndërkohë që shkel paturpësisht limitet e tjera të sjelljes së tij dhe jemi ne që e kemi lejuar t`ia hedhë paq. E gjithë kjo duhet të marrë fund”, tha Haley.

Në listën e akuzave të saj ndaj Teheranit, u rreshtua fakti që regjimi i ajatollahëve, sipas Haley-t, furnizon ilegalisht grupet paraushtarake në Jemen, Siri dhe Liban, se burgos gazetarë dhe të huaj, persekuton disa fe dhe arreston homoseksualë.

Zëvendësambasadori i Iranit në OKB, Gholamali Khoshroo, reagoi duke thënë se nuk ia vlen t’i përgjigjet “deklaratave të një natyre brutale” të zyrtarëve amerikanë. Më herët, lideri shpirtëror i regjimit të ajatollahëve i doli në mbrojtje marrëveshjes nukleare dhe përdori një gjuhë të ashpër kundër Presidentit Donald Trump, të cilin e akuzoi se flet gjepura e thotë gënjeshtra, dhe shtoi se e konsideron humbje kohe të merret me të.

Top Channel