Alitalia “bëhet” gjermane. Lufthansa kërkon ta blejë

19/10/2017 17:22

“Lufthansa” nuk ndalet, por pas ofertës për “AirBerlin” synon të blejë edhe një pjesë të “Alitalia”-s së përfshirë prej kohësh nga një krizë e thellë.

“Të rrënuara dhe me humbje prej vitesh. Kjo i bashkon shoqëritë ajrore ‘Alitalia’ dhe ‘AirBerlin’”, thotë “Deutsche Welle”.

Tani, që të dyja këto shoqëri kanë dalë në shitje dhe për të dyja ato kanë treguar interes të fortë gjiganti gjerman i qiejve dhe britanikja “EasyJet”.

Ofertat e tyre janë për blerjen e linjave kryesore: avionët dhe destinacionet më të preferuara të fluturimeve. Dy shoqëritë e mëdha ajrore kërkojnë përmes kësaj lëvizjeje të zgjerohen edhe më shumë dhe t’i rezistojnë konkurrencës.

Në Europën Perëndimore ka 237 shoqëri ajrore gjithsej, të ardhurat e të cilave janë të ulëta, sepse nga 100 euro xhiro, vetëm 4.90 euro mbeten fitim. Një fitim i tillë, sipas përllogaritjeve të Federatës gjermane të Ekonomisë së Qarkullimit Ajror është shumë i vogël, duke pasur parasysh edhe faktin që çmimi i karburantit rritet apo numri i pasagjerëve bie.

“Lufthansa” ka paraqitur konceptin për një “Alitalia” të ristrukturuar në bazën e një modeli funksional biznesi, megjithatë është vendosur që detajet të mos bëhen publike.

“Corriere della Sera” shkruante në një artikull të saj se, numri një i shoqërive ajrore gjermane do të lëvrojë 500 milionë euro për blerjen e avionëve dhe të ekuipazheve, si dhe të të drejtave të qarkullimit të “Alitalia”-s, pretendim mbi të cilin “Lufthansa” nuk ka pranuar të komentojë.

Top Channel